Është bërë e ditur se nga 10 dhjetori e deri në fund të shkurtit, nuk do të mbahet mësimi në gjuhën shqipe në Kantonin e Cyrihut.
Kështu ka njoftuar, Shkolla shqipe e mësimit plotësues “Naim Frashëri” në këtë kanton.
Ky është edhe vendimi i Drejtorisë së Arsimit të Kantonit të Cyrihut, i cili është publikuar dje.
NJOFTIM NGA SHKOLLA SHQIPE E MËSIMIT PLOTËSUES “NAIM FRASHËRI” PËR KANTONIN E CYRIHUT
Të dashur/-a nxënës/-e, Të nderuar prindër,
Ju njoftojmë se nga 10 dhjetor ’20 e deri në fund të shkurtit ’21, për arsye të gjendjes së krijuar nga Coronavirusi, nuk do të mbahet mësimi në gjuhën shqipe në Kantonin e Cyrihut.
Ky është vendim i Drejtorisë së Arsimit të Kantonit të Cyrihut, i cili është publikuar dje.
Ju njoftojmë se ne përsëri, si herën e kaluar, do të rifillojmë me mësimin në largësi. Për çdo javë ne do të publikojmë në faqen tonë www.lapsh-zh.ch, si dhe në Facebook në vjegën Shkolla Shqipe LAPSH – Zürich, materiale mësimore, të cilat do t’i punojmë bashkërisht.
Kujdesi për shëndetin e të gjithëve është me përparësi, sidomos në këtë gjendje të cilën po e kalojmë. Bashkërisht do t’ia dalim ta përballojmë edhe këtë sfidë.
Sapo të krijohen kushtet normale për mësim, ne do t’ju njoftojmë paraprakisht për rifillimin e mësimit.
Mësueset dhe mësuesit e LAPSH “N. Frashëri” Cyrih. /Albinfo.ch