Prezantuesja dhe autorja e programit ”Guximtarët” në “Digitalb”, Bora Zemani, i ka dhënë fund bashkëjetesës së saj me djalin e muzikës, Vin Velin.
Të afërmit e çiftit kanë konfirmuar për mediat se ata bashkë kanë marrë vendimin për t’i dhënë fund lidhjes së tyre disavjeçare, ndërsa ata vetë duket se e kanë konfirmuar në heshtje. Nga historia e tyre e dashurisë ata kanë një djalë, Arborin, ndërkohë që i kanë dhënë fund bashkëjetesës në një shtëpi, pas disa muajsh krize që ata e kalonin mes njëri-tjetrin. Edhe pse prej muajsh përflitej se ishin ndarë, ata e mohuan këtë fakt, duke qenë se ishin në përpjekje për t’i sheshuar mosmarrëveshjet e për t’i rregulluar gjërat mes tyre, teksa vazhdonin të jetonin në një shtëpi.
Në fund të verës filluan të qarkullonin fjalët e para se ata i kishin dhënë fund, por lajmi u mohua fillimisht nga Vin Veli, i cili tregoi se shkak për këto thashetheme u bë një program në Instagram, prej të cilit nuk ndiqte më Borën në këtë rrjet social. Po ashtu, edhe ish-partnerja e tij i mohoi lajmet e ndarjes, e cila, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake up” në “Top Channel” në muajin shtator, tregoi të vërtetën e saj. “Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë histori. Vini kishte shkarkuar një program në Instagram duke më fshirë mua, por edhe persona të tjerë si Dj.Sardin, por nuk e kuptoj pse njerëzit u morën vetëm me mua”, tregoi Bora duke qeshur. Ajo theksoi se duke pasur një familje, dhe jo thjesht një lidhje, asaj nuk i erdhi aspak mirë që diskutoheshin këto gjëra në publik.
“Për më tepër nuk më vjen mirë kur njerëz që ne na njohin, na shohin në rrugë bashkë dhe habiten duke thënë: ‘Ua, nuk qenkan ndarë!’”, tregoi prezantuesja e programit “Guximtarët” dhe “Bar Skedina”. Vitin që lamë pas Bora ishte në vëmendjen mediatike për shkak të pjesëmarrjes së saj në “Dance with me”. Por festa e fundit familjare, që dëshmoi se ajo dhe Vin Veli ishin një “çift i lumtur” ishte në janar të këtij viti, kur Bora festoi 25-vjetorin. Në Instastory, ajo tregoi se si e festoi këtë përvjetor ndërsa u shfaq e mbushur me buqeta lulesh dhe një tortë me portretin e saj, të bashkëshortit Vin Veli dhe djalit të tyre Arbor.
Bora dhe DJ i njohur tashmë nuk e ndjekin më njëri-tjetrin në rrjetet sociale, dhe kjo vulos faktin se pas krizës në marrëdhënien e tyre ata i kanë dhënë fund bashkëjetesës. Në rrëfimet e Borës për historinë e dashurisë me Dj-in, ajo ka treguar se në fillimet e tyre puna e tij në club-et e natës e bënte të ndihej xheloze, por me kalimin e viteve e superoi këtë ndjesi. Nuk dihet arsyeja që i çoi në ndarje, edhe pse secili është në ditë të mira sa i takon karrierës, ai në muzikë dhe ajo në televizion. Nuk dihet nëse ata janë martuar me celebrim apo thjesht bashkëjetonin, dhe si do ta menaxhojnë kujdesin për djalin, duke qenë se të dy janë shumë të lidhur me fëmijën e tyre