Tedros Adhanom Ghebreyesus, kryetar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë se secili shtet duhet të fillojë të investojë dhe të përgatitet për pandeminë e ardhshme.
Ai e bëri paralajmërimin në një sesion të posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për koronavirusin.
Ai mori hapur në mbrojtje Kinën, kur tha se vendet që janë marrë me koronavirusët e kohëve të fundit, përfshirë SARS-in, ose sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes, dhe MERS, ose sindroma respiratore e Lindjes së Mesme, si dhe sëmundje të tjera infektive, kanë pasur më shumë sukses në kufizimin e përhapjes së COVID-19.
Kurse në të njëjtën kohë sulmoi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tjera vende në BE se nuk morën masa.
“Pavarësisht paralajmërimeve prej disa vitesh, shumë vende nuk ishin të gatshme për COVID-19”, tha Tedros .
OBSH është kritikuar nga disa vende për trajtimin e saj të pandemisë pasi Kina raportoi rastet e para në fillim të këtij viti.
Presidenti amerikan Donald Trump ka qenë një nga kritikët më të zëshëm dhe më 29 maj njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga organizata globale e shëndetësisë.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se do ta përmbysë atë vendim kur të marrë detyrën në janar.
Shefi i OBSH-së theksoi nevojën që vendet e pasura dhe të varfëra të kenë qasje të barabartë tek një vaksinë COVID-19, duke thënë se vënia e shkencës në shërbim të të gjithëve nuk është bamirësi, por në interesin më të mirë të çdo vendi.
Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të rimendojnë rrënjësisht se si i japin përparësi dhe e shohin shëndetin nëse duan të shmangin një krizë tjetër të përmasave të ngjashme.